MELLOW

Ky projekt i veçantë është realizuar në vitin 2019 në Prishtinë, Kosovë. Ajo që bie në sy fillimisht është koncepti minimal dhe mbizotërimi i së bardhës, duke i lënë hapësirë ngjyrës së përdorur në njësi e aksesorë dekorativ. Me këtë projekt, ne kemi dashur që të krijojmë një ambient të ngrohtë, të ndjeshëm e ftues. Ndërlidhja në mes këtyre tri elementeve është realizuar përmes ngjyrës, formës dhe komunikimit të hapësirës. Format harkore të përdorura marrin një dimension tjetër. Në mes të çdo vije të drejtë, harqet e relaksojnë ambientin duke e bërë atë shumë atraktiv e me shumë stil. Dyert e gjata me ngjyrën e bardhë janë përdorur si sfond kryesor në mënyrë që të shtojnë një ndjenjë hapësire, dhe pastaj mbështeten në elemente më të gjalla për të shtuar personalitetin. Druri natyral zë një vend të rëndësishëm në ambient. I përdorur në tokë e po ashtu edhe në disa elemente, e bën ambientin edhe më shumë familjar e miqësor. Tavolina e bukës, pianoja, pasqyra dekorative në dhomë të gjumit, janë vetëm disa prej gjërave që kjo familje ruan me fanatizëm ndër vite, duke mbartur me vete kujtime e përjetime të paharruara. Andaj, ne i kemi përshtatur ato në mënyrën më të mirë të mundshme, duke forcuar edhe me shumë kontrastin e këndshëm që ato krijojnë në mes të vjetrës dhe stilit modern.

Share: