La House

E vendosur ne Prishtinë, shtëpia " La House" ka sipërfaqe prej 200m². Edhe pse e ndodhur në kryeqytet, në mes të dinamikës dhe gjallërisë së jetës, kjo shtëpi të jep ndjesinë e një ville të ngrohtë e të qetë, të ndodhur diku mes natyrës, ku e vetmja zhurmë që dëgjon është rrjedha e lumit e pëshpëritjet e zogjve. E tërë kjo - kërkesë e klientit, të cilën e jetësuam me sukses! Që në hyrje, syrin ta kapin shpejt trarët e vendosur në përdhesë. E ajo që karakterizon më së shumti ambientin është kamini - pika kryesore që ndan e në të njejtën kohë afron dy hapësirat kryesore, kuzhinën dhe dhomën e ndenjës. Koncepti minimal i realizur për këtë shtëpi është i ndërlidhur ngusht me dëshirën e klientit që të ketë elemente natyrale siç është druri, betoni dhe gjelbërimi. Ndriçimi i mjaftueshëm natyral na ka ndihmuar që efekti të arrihet në secilin kënd. Për një familje 4 anëtarëshe; eksplorues e me pasion të madh ndaj natyrës e çiklizmit, patjetër se një vend të veçantë duhet ta ketë biçikleta. Ne e quajmë - “Skulptura në lëvizje”. Kuzhina në këtë shtëpi përfaqëson pastërtinë dhe elegancën. E peshuar komplet ne mur e pa këmbë, nuk ka se si të mos mbetet pjesa më e këndshme e shtëpisë. Ajo të fton ta shijosh ushqimin, një gotë verë apo thjesht një gotë ujë pas një ecjeje të gjatë malore. Për ata që duan pak kohë për veten, kemi krijuar një dhomë leximi që ofron qetësinë dhe ngrohtësinë e duhur për disa orë produktive. Ndërsa, për ato raste kur dëshiron të punosh dhe në të njejtën kohë të jesh prezent në ambientin familjar, ne kemi krijuar këtë kënd të lezetshëm në koridorin e shkallëve! E njejta frymë e përcjell edhe dhomën e prindërve e cila ka një sipërfaqe të madhe. Banjo e punuar nga epoksidi dhe e ndarë vetëm me xham transparent, ka bërë që dhoma të ketë tjetër dimension e kuptim. Dhomat e dy vajzave, në anën tjetër, të dërgojnë drejt një bote krejt tjetër- në botën e ngjyrave dhe harmonisë. Koncepti i ndarjes së dhomës mes dy motrave është realizuar përmes një dere të fshehur brenda dollapëve, ku vetëm ato mund të kenë qasje. Një fantazi e tyre, e bërë realitet!

Share: