Candy

Plot ngjyra, sportiv e në të njejtën kohë elegant- ky është projekti Candy, shumë i veçantë e plot jetë! I ndodhur në qendër të Prishtinës, ky apartment ka një hapësirë prej 123 m2. Ky projekt është dizajnuar për një familje 4 anëtarëshe, me shumë pasion për artin e ndaj të bukurës. Koncepti që kemi dashur të ndërthurim në këtë projekt ka qenë i thjeshtë; shumë ngjyra e shumë forma, hapësira funksionale e komunikim të hapur. Prej momentit që futesh brenda, i gjithë apartmenti është aty, kuzhina, shanku e tavolina e ngrënies përballë ndërsa anash është hapësira e ndenjës. Kamini me një librari të këndshme ngjitur, është i vetmi element ndarës në gjithë hapësirën, e që në të njejtën kohë merr gjithë vëmendjen. I mveshur me pllaka të bardha katrore e me fugë të verdhë të theksuar, nuk ka se si të mos jetë dekori kryesor. Pikturat janë punime të bëra nga vajza, e me thjeshtësine e tyre e zbukurojnë edhe më shumë ambientin. Si gjithmonë, çdo element është dizajnuar dhe realizuar enkas për këtë apartment. Tavolina e bukës, e punuar 100% nga druri i bungut, me këmbët e saj estetike e me balloren me formë të çrregullt, të jep aq shumë ngrohtësi saqë e ke të pamundur të mos ulesh dhe ta shijosh pamjen. Në momentin që ulesh, ajo që të kap syrin më së shumti, është padyshim muri nga betoni i mbuluar me punime nga dora, të ruajtura me fanatizëm nga klientja, si kujtim nga nëna e saj. Kjo padyshim se i shton ambientit origjinalitet dhe ka një storie brenda saj.

Share: